vendredi 28 novembre 2014

SHPALLJA E PAVARËSISË SË SHQIPËRISË

Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Historia e Popullit Shqiptar


Aleanca Ballkanike dhe çështja shqiptare

Kryengritjet e mëdha shqiptare dhe lufta italo-turke e kishin dobësuar pozitën e Turqisë në Ballkan dhe u kishin krijuar popujve të kësaj zone kushte të favorshme për zhdukjen e plotë të sundimit osman. Këto ngjarje, nga ana tjetër, shqetësuan e vunë në lëvizje qeveritë e shteteve ballkanike. Gjendjen e krijuar në Ballkan, sipas tyre, mund ta shfrytëzonte Austro-Hungaria për të pushtuar sanxhakun e Pazarit të Ri, ndërsa lëvizja çlirimtare në Shqipëri e në Maqedoni mund të shpinte në autonominë e këtyre vendeve, gjë që ishte në kundërshtim me planet ekspansioniste serbe, malazeze, bullgare e greke. Shtetet ballkanike, me gjithë kontradiktat e thella që kishin ndërmjet tyre, shpejtuan të lidhnin një aleancë politike e ushtarake për t’i dalë përpara çdo të papriture dhe për ta zgjidhur çështjen në përputhje me interesat dinastikë. Formimin e një aleance të tillë e përkrahte edhe Rusia cariste, e cila kërkonte ta përdorte atë si gardh kundër shtrirjes austro-gjermane në Evropën Juglindore.
Bisedimet për formimin e kësaj aleance i kishin filluar qysh në tetor 1911 kryeministri bullgar Geshov dhe ai serb Milovanoviç. Një nga çështjet themelore të këtyre bisedimeve ishte, krahas asaj të Maqedonisë, edhe ajo e copëtimit të Shqipërisë. Kjo kishte të bënte me synimet e Serbisë për të dalë në detin Adriatik e për t’u lidhur me tregjet e Evropës Perëndimore. Prandaj Milovanoviçi e shikonte si një rrezik formimin e një shteti shqiptar. Duke përdorur si argument të ashtuquajturën “paaftësi të shqiptarëve” për të formuar shtetin e tyre, ai kërkonte bashkimin e Shqipërisë së Veriut e të Verilindjes me Serbinë dhe të Shqipërisë së Jugut me Greqinë. Qysh në ditët e para të bisedimeve të dyja qeveritë kishin rënë në marrëveshje të njihnin të drejtën e plotë të Serbisë mbi vilajetin e Shkodrës dhe mbi atë pjesë të vilajetit të Kosovës që ndodhej në veri të Bjeshkëve të Sharrit, ndërsa Bullgarisë të drejtën mbi vilajetin e Adrianopojës. Por bisedimet u zgjatën për shkak të kontradiktave që lindën në lidhje me ndarjen e tokave të tjera të vilajetit të Kosovës dhe të vilajeteve të Manastirit e të Selanikut.

Austro-Hungaria, nga ana e saj, u përpoq ta sabotonte këtë aleancë që po formohej me pjesëmarrjen aktive të Rusisë. Për të lidhur pas vetes Malin e Zi e Greqinë, ajo i premtonte mbretit Nikolla toka shqiptare deri afër Shkodrës, ndërsa Greqisë i propozonte të hynte në një bllok ballkanik kundërsllav me Austro-Hungarinë, Rumaninë e Shqipërinë. Por këto orvatje nuk patën sukses.
Më 13 mars 1912 u përfundua marrëveshja serbo-bullgare. Ajo përmbante një shtojcë të fshehtë, sipas të cilës Bullgaria i njihte Serbisë jo vetëm tokat me popullsi serbe, por edhe aneksimin e tokave shqiptare në veri e në perëndim të Bjeshkëve të Sharrit (Shqipërinë e Mesme, Veriore dhe Verilindore), kurse Serbia i njihte Bullgarisë tokat në lindje të Rodopit dhe të lumit Struma. Territori midis Bjeshkëve të Sharrit, lumit Struma dhe liqenit të Ohrit, me qytetet kryesore Dibër, Kërçovë, Gostivar, Tetovë, Kumanovë e Shkup, u quajtën si zonë e diskutueshme; si arbitër për zgjidhjen e kësaj çështjeje u caktua cari i Rusisë.
Krahas bisedimeve serbo-bullgare u zhvilluan edhe bisedimet bullgaro-greke, të cilat përfunduan më 29 maj me nënshkrimin e një marrëveshjeje mbrojtëse në rast sulmi nga ana e Turqisë.
Aleanca Ballkanike, me gjithë kompromiset e arritura, përmbante në vetvete farën e përçarjes midis vendeve ballkanike. Nga ana tjetër, ajo përbënte një rrezik tepër serioz për ekzistencën e kombit shqiptar.
Pas përpjekjeve të Vjenës, për t’i kërkuar Portës së Lartë zbatimin e politikës së decentralizimit, diplomacia ballkanike u bë më aktive. Mali i Zi, i cili vazhdonte gjithnjë të organizonte provokacione në kufi, i ftoi aleatët ballkanikë të hidheshin menjëherë në luftë kundër Turqisë. Ai dërgoi emisarët e vet në Shkodër për të bindur klerin katolik ta ndihmonte në veprimin që do të ndërmerrte kundër Turqisë, me qëllim që të çlirohej rrethi ose gjithë vilajeti i Shkodrës dhe të hynte në një “union real” me Malin e Zi. Përfaqësuesit e klerit katolik të Shkodrës nuk e pranuan këtë projekt. Këto përpjekje të aleatëve ballkanas kishin mbështetjen e qeverisë ruse.
Porta e Lartë, nga njëra anë, u deklaroi shteteve ballkanike se nuk kishte aspak ndërmend t’u jepte shqiptarëve autonominë, ndërsa, nga ana tjetër, shpalli më 23 gusht, në një redaktim të ri, kërkesat e shqiptarëve të pranuara prej saj. Duke mos përmendur asnjëherë në to fjalët Shqipëri e shqiptarë, qeveria turke synonte t’i qetësonte shtetet ballkanike dhe t’u jepte atyre të kuptonin se privilegjet e dhëna mund të shtriheshin edhe mbi popullsinë joshqiptare të vilajeteve të Kosovës, të Manastirit dhe të Janinës, nëse do të ishte nevoja që ajo t’u bënte një interpretim të tillë. Por kjo nuk i kënaqi aspak shtetet ballkanike. Sukseset e rrufeshme të kryengritjes shqiptare dhe ngjarjet në frontin e Tripolit kishin treguar qartë kalbësinë e Perandorisë Osmane dhe paaftësinë e saj ushtarake. Të nxitur nga kjo, ato filluan të bënin përgatitje të ethshme për t’i shpallur luftë Turqisë.
Qeveria malazeze kishte përfunduar me Bullgarinë një marrëveshje verbale, sipas së cilës kjo e fundit i njihte Cetinës tokat që do të pushtonte në rast lufte kundër Turqisë. Mali i Zi, me qëllim që të shkaktonte sa më parë konfliktin ballkanik, bëri të gjitha përpjekjet me anën e bajraktarëve, si Sokol Baci etj., që ishin në shërbim të tij, t’i hidhte malësorët katolikë shqiptarë në luftë kundër turqve, të cilët kishin krijuar në Malësi një gjendje të padurueshme. Urrejtja e papërmbajtur e malësorëve kundër sundimtarëve osmanë i bëri ata të bashkëpunonin me malazezët.
Këtë bashkëpunim turqit e shfrytëzuan për të nxitur fanatizmin fetar në vilajetin e Shkodrës dhe për të bërë masakra mbi popullsinë katolike të Zadrimës, një pjesë e madhe e së cilës u detyrua të arratisej në male. Me politikën e tyre të terrorit turqit i afruan edhe më shumë malësorët katolikë me Malin e Zi. Luftime të ashpra kundër forcave turke zhvilluan në shtator të vitit 1912 malësorët e Malësisë së Madhe, të përkrahur nga reparte malazeze, si edhe nga zadrimasit.
Ndërkohë marrëdhëniet ndërmjet Turqisë dhe shteteve të Aleancës Ballkanike po acaroheshin gjithnjë e më shumë. Nuk e zbuti këtë acarim as vendimi i marrë nga Porta e Lartë më 24 shtator për t’i shtrirë një varg privilegjesh, që u ishin njohur shqiptarëve, edhe mbi popullsitë joshqiptare të vilajeteve të Rumelisë.
Në fund të shtatorit si Turqia, ashtu edhe shtetet ballkanike filluan mobilizimin e ushtrive të veta. Dukej qartë se konflikti i armatosur ishte i pashmangshëm. Fuqitë e Mëdha e në mënyrë të veçantë Rusia u përpoqën ta pengonin një konflikt të tillë që mund të shpinte në prishjen e status quo-së në Ballkan dhe në një luftë botërore, për të cilën ata nuk ishin përgatitur ende. Më 7 tetor Austro-Hungaria e Rusia deklaronin në emër të Fuqive të Mëdha që, në rast lufte ndërmjet Turqisë e shteteve ballkanike, në mbarim të konfliktit fuqitë nuk do të lejonin asnjë ndryshim të status quo-së territoriale në Ballkan. Në një kohë kur përfundimi i luftës nuk dihej, Vjena synonte, me anë të kësaj deklarate, të pengonte zgjerimin e shteteve ballkanike në kurriz të Turqisë, ndërsa Rusia të siguronte mbrojtjen e aleatëve të vet ballkanikë në rast disfate.
Megjithatë Lufta Ballkanike shpërtheu. Më 8 tetor Mali i Zi i shpalli luftë Turqisë. Më 17 tetor i shpallën asaj luftë Serbia e Bullgaria dhe një ditë më vonë Greqia.

Lufta e Parë Ballkanike dhe Shqipëria

Lufta e Parë Ballkanike, përderisa drejtohej kundër Turqisë dhe kishte për qëllim bashkimin kombëtar të popujve ballkanikë, objektivisht kryente një funksion përparimtar. Por ajo u drejtua nga qarqet shoviniste të vendeve të Ballkanit dhe u kthye në një luftë grabitqare, pushtuese, sidomos ndaj Shqipërisë e Maqedonisë.
Shqiptarët ishin po aq të interesuar sa edhe popujt e tjerë të shtypur të Ballkanit për t’u çliruar nga zgjedha osmane. Përfaqësuesit e tyre bënë përpjekje për t’u lidhur me fqinjët në luftën e përbashkët kundërosmane, por këto përpjekje dështuan për faj të krerëve të Aleancës Ballkanike, të cilët nuk dëshironin t’i kishin shqiptarët si palë me të drejta të barabarta në këtë aleancë, sepse ishin marrë vesh ndërmjet tyre për copëtimin e Shqipërisë. Prandaj, shqiptarët nuk hynë në një aleancë, krerët e së cilës synonin t’i përdornin ata si mish për top në luftën kundër Perandorisë Osmane. Pjesëmarrja e shqiptarëve në këtë aleancë, pa u njohur zyrtarisht të drejtat e tyre, do të ishte një vetëvrasje.
Planet aneksioniste të Serbisë, të Malit të Zi e të Greqisë kundrejt Shqipërisë, plane që filluan të viheshin në jetë me shpërthimin e Luftës së Parë Ballkanike, ishin pjellë e një politike të pajustifikueshme armiqësore ndaj një populli fqinj, që kishte bërë një luftë të vazhdueshme kundër sundimit shekullor osman dhe kishte treguar se ishte një aleat i sigurt në luftën kundër armikut të përbashkët. Shtetet ballkanike jo vetëm dërgonin ushtarët e tyre të vriteshin me shqiptarët, që ishin të vendosur të mbronin deri në fund lirinë e tërësinë e tokës së tyre, por edhe u jepnin Fuqive të Mëdha një armë të fortë në dorë për të ndërhyrë në punët e Ballkanit, që të vinin në orbitën e tyre si popullin shqiptar, ashtu edhe popujt fqinjë. Për këtë arsye, Lufta Ballkanike krijoi në Shqipëri një gjendje shumë të ndërlikuar e kontradiktore. Nga njëra anë, në masat popullore vazhdonte të ishte gjallë fryma e luftës kundër zgjedhës osmane, nga ana tjetër, po bëhej gjithnjë më i qartë rreziku që kërcënonte Shqipërinë nga fqinjët ballkanikë, të cilët pas dëbimit të turqve nga gadishulli synonin të zinin vendin e Perandorisë Osmane në të dhe të fshinin kombin shqiptar nga harta politike e Ballkanit.
Ndryshe nga vendet e tjera ballkanike, Shqipëria edhe kësaj radhe, në këto çaste tepër kritike, u ndodh vetëm, me armikun e vjetër në vatër dhe e sulmuar nga agresorë të rinj. Ky rrezik kombëtar vuri në lëvizje të gjitha klasat e shtresat shoqërore të vendit. Përpara tyre u ngrit në mënyrë më serioze çështja e fatit të Shqipërisë, e qëndrimit që duhej mbajtur ndaj konfliktit ballkanik, e mënyrave dhe e mjeteve për ta shpëtuar Shqipërinë nga katastrofa që kërcënonte Turqinë.
Qysh në fillim të tetorit gazeta “Liri e Shqipërisë”, që përfaqësonte opinionin e kolonisë shqiptare të Sofjes, duke parashikuar ngjarjet, u drejtohej shqiptarëve me thirrjen: “... të marrim armët dhe të mbrojmë kufijtë e mëmëdheut tonë, duke kërkuar autonominë e Shqipërisë”. Po kjo gazetë u drejtohej shqiptarëve t’u përmbaheshin udhëzimeve të Sami Frashërit në veprën “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhetë?”, d.m.th. t’i jepnin një goditje të fortë Turqisë për të mos u rrokullisur me të në greminë.
Ndryshe e vlerësuan gjendjen kolonitë shqiptare të mërgimit në ShBA. Ato u nisën nga fakti se Turqia, megjithëse ishte armike e Shqipërisë, u kishte njohur shqiptarëve disa të drejta kombëtare, kurse pjesëtarët e Aleancës Ballkanike synonin ta copëtonin atë krejtësisht. Prandaj mbledhja e përfaqësuesve të kolonive shqiptare të ShBA-së, që u bë më 6 tetor 1912 në Boston, duke “... marrë në sy atë që po mundet Turqia, e që shtetet e Ballkanit do ta ndajnë Shqipërinë në mes tyre”, deklaronte: “Është detyrë e atdhetarëve shqiptarë të jenë plotësisht të bashkuar me guvernën (qeverinë - shën. i aut.) otomane kundër armiqve të Mbretërisë”. Ndonëse frymëzohej nga qëllime patriotike, qëndrimi i kolonive shqiptare të ShBA-së përmbante në vetvete një rrezik të madh për vendin. Përkrahja pa kushte që shqiptarët do t’i jepnin Turqisë në luftën kundër Aleancës Ballkanike do të sillte si pasojë që Shqipëria të pësonte të njëjtin fat që do të pësonte Turqia në Ballkan dhe do t’u jepte një argument të fortë qeverive të Aleancës Ballkanike për të mbrojtur përpara opinionit publik ndërkombëtar planin e copëtimit të Shqipërisë si një provincë e thjeshtë turke.
Brenda në Shqipëri nismën për një veprim politik, që ta nxirrte vendin nga gjendja e vështirë dhe e ndërlikuar e krijuar nga Lufta Ballkanike, e morën shoqëritë atdhetare, Komiteti “Shpëtimi” dhe “Shoqëria e Zezë për Shpëtim” që ishte krijuar në Shkup. Përfaqësuesit e tyre Sali Gjuka, Nexhip Draga, Bedri Pejani, Mithat Frashëri etj., organizuan në Shkup më 14 tetor 1912 një mbledhje, për të cilën ishte marrë qysh përpara edhe miratimi i Hasan Prishtinës e i Bajram Currit, që kishin shkuar në front për organizimin e mbrojtjes së tokave shqiptare.
Deklarata  e Pavarësisë
Mbledhja e Shkupit arriti në përfundimin se Perandoria Osmane do ta humbiste luftën dhe vendosi t’u njoftonte Fuqive të Mëdha se populli shqiptar po i kapte armët jo për të forcuar sundimin e Turqisë në Ballkan, por për t’i dalë zot tërësisë tokësore e lirisë së Shqipërisë. Pra, vijonte deklarata, shqiptarët nuk do të pranonin për katër vilajetet veçse një formë të vetme qeverisjeje. Ky vendim përputhej me atë që ishte shprehur nga gazeta “Liri e Shqipërisë” dhe ishte vendimi më i drejtë e më realist që mund të merrej në këto rrethana. Ai iu dorëzua përfaqësuesve të fuqive të huaja në Shkup më 16 tetor.
Mbledhja e Shkupit caktoi edhe një delegacion, i cili do të shkonte në Malësi të Madhe për t’i shkëputur malësorët nga bashkëpunimi me Malin e Zi. Ky delegacion u autorizua gjithashtu të merrej vesh me krahinat e tjera të vendit për organizimin e një kuvendi kombëtar që do të vendoste për fatin e atdheut. Por ai nuk mundi të arrinte në Malësi të Madhe; ngjarjet në frontin e luftës ishin zhvilluar me një shpejtësi të tillë, që e detyruan të ndalej përkohësisht në Pejë e në Gjakovë, ku mori autorizimin nga popullsia për ta përfaqësuar atë në veprimtaritë që po ndërmerreshin kundër copëtimit të vendit. Prej këtej delegacioni i Kosovës u drejtua në Shqipërinë e Mesme e të Jugut, ku ishin marrë nisma nga rrethet atdhetare lokale për organizimin e kuvendit kombëtar dhe kishte filluar zgjedhja e delegatëve.
Ushtritë e aleatëve ballkanikë brenda një kohe të shkurtër e shpartalluan ushtrinë turke në të gjitha frontet. Trupat bullgare, pasi thyen qëndresën e forcave turke, të përqendruara në Trakën Lindore, iu drejtuan Adrianopojës. Forcat e Malit të Zi, të ndara në tri kolona, sulmuan dy në drejtim të Shkodrës dhe njëra në drejtim të Pejës. Brenda tri javësh ato pushtuan Pejën dhe iu drejtuan Shkodrës.
Mbreti Nikolla i Malit të Zi, ndërsa u premtonte malësorëve se do të respektonte flamurin shqiptar, në thirrjen drejtuar popullit malazez e ftonte këtë t’u jepte dorën “vëllezërve nën zgjedhë të Malësisë, të cilët prej më shumë se dy vjetësh luftonin për të drejtat e lirinë e tyre dhe për bashkimin me Malin e Zi”. Kur doli në shesh mashtrimi i mbretit malazez dhe kur në tokat shqiptare të pushtuara, në vend të flamurit kombëtar u ngrit ai i Malit të Zi, malësorët, që kishin marrë pjesë aktive në këtë luftë krahas ushtrive malazeze, u tërhoqën në masë nga lufta.
Edhe mbreti serb Pjetër, në manifestin që shpalli në fillim të fushatës ushtarake serbe, deklaronte në mënyrë demagogjike se do t’u sillte edhe shqiptarëve lirinë, vëllazërinë dhe barazinë.
Më 15 tetor filloi mësymja e trupave serbe në rajonin e Vranjës, ndërsa më 18 tetor u hodh në sulm gjithë ushtria prej 286 000 vetash, në drejtimin Nish-Manastir-Elbasan, Nish-Manastir-Selanik dhe Kurshunli-Prizren-Durrës. Forca të tjera sulmuan nga veriu, në drejtimin Rashkë-Mitrovicë-Pejë dhe Javor-Priepolje.
Turqia u gjend e papërgatitur për luftë. Qeveria turke vendosi të formonte repartet e armatosura vullnetare shqiptare, që do të pajiseshin me armë nga depot e shtetit. Doli edhe një urdhër i ministrit të Luftës për t’u dërguar shqiptarëve 50 000 pushkë. Megjithatë nuk u dërgua asgjë, shqiptarët u lanë pa armë, në mëshirën e fatit. Qeveria xhonturke nuk qe në gjendje të përfitonte nga forca e madhe e shqiptarëve dhe nga gatishmëria për të mbrojtur atdheun e vet.
Shqiptarët e Kosovës, veçanërisht ata të Llapit dhe të krahinave përreth, u qëndruan me vendosmëri në luftimet e Merdarit (14-18 tetor), në veri të Podujevës, forcave të Armatës së parë dhe të tretë serbe. Ushtria turke një ditë para betejës braktisi frontin në disa pika. Luftimet në Merdar ishin të ashpra. Serbët e morën atë pas humbjeve të mëdha. Edhe mbrojtja e kufirit nga Rashka në Podujevë u mbeti vullnetarëve shqiptarë, të udhëhequr nga Isa Boletini. Me organizimin e mbrojtjes në veri të Prishtinës u mor Hasan Prishtina, ndërsa në Gjakovë, Plavë e Guci Bajram Curri.
Pasi morën Merdarin, forcat serbe të Armatës së parë depërtuan në Podujevë dhe, së bashku me ushtritë e Armatës së tretë, më 20 tetor filluan sulmin mbi Prishtinën. Vullnetarët shqiptarë luftuan me vendosmëri, por për mungesë të municionit u tërhoqën nga qyteti, që ra po atë ditë në duart e serbëve. Më 23 tetor u pushtua Vuçiterna dhe pas saj Mitrovica.
Me organizimin e forcave vullnetare shqiptare në zonën e Gjilanit, të Moravës e të Karadakut u mor Idriz Seferi, që arriti të grumbullojë 6 000 luftëtarë, të cilët u hodhën në kufirin me Serbinë, ku së bashku me forcat e vendit u bënë ballë njësive të Armatës së tretë serbe. Luftimet në këtë trevë juglindore të Kosovës vazhduan 7 ditë, duke filluar nga koha e sulmit të ushtrisë serbe më 15 tetor. Pasi theu qëndresën e shqiptarëve në kufirin juglindor të Kosovës, ushtria serbe mundi të pushtonte më 24 tetor qytetin e Gjilanit. Më 23 tetor serbët pushtuan Vuçiternën dhe pas saj Mitrovicën.
Pas pushtimit të Prishtinës ushtria serbe filloi veprime të tjera në përmasa të mëdha, të cilat kishin si objektiv të parë pushtimin e Ferizajt, të Kumanovës e të Shkupit, për të vijuar më tej marshimin drejt jugut dhe drejt pjesës perëndimore të Shqipërisë.
Natën e 23-24 korrikut Armata e tretë serbe filloi një marshim drejt Shkupit e Kumanovës. Më 24 tetor pushtoi Lipjanin dhe po në këtë ditë iu afrua Ferizajt. Edhe mbrojtja e tij u mbeti rreth 10 000 vullnetarëve shqiptarë. Në mesditën e 25 tetorit ushtria serbe filloi sulmin e përgjithshëm mbi qytetin, të cilin e pushtoi në mbrëmjen e 25 tetorit. Forcat shqiptare u tërhoqën drejt Kaçanikut.
Por luftimet më të mëdha u bënë në Grykën e Carralevës. Pas dy ditë lufte me 2 000-3 000 vullnetarë shqiptarë, forcat serbe, pasi lanë këtu shumë ushtarë të vrarë e të plagosur, më 26 tetor e pushtuan këtë grykë. Më 30 tetor u pushtua Prizreni.
Beteja më e madhe e trevës së Kosovës ishte ajo e Kumanovës (22-24 tetor), ku serbët hodhën ushtrinë e Armatës së parë, të përbërë nga 126 000 veta. Armata turke e Vardarit kishte vendosur në këtë front 50 000 luftëtarë. Midis tyre kishte edhe disa mijëra ushtarë shqiptarë, përveç forcave vullnetare të ardhura nga treva e Kumanovës e rrethet e tjera.
Më 24 tetor ushtria turke u thye përfundimisht në Kumanovë. Pas pushtimit të Kumanovës, më 26 tetor forcat e Armatës së parë serbe pushtuan pa luftë Shkupin. Me pushtimin e Shkupit përfundoi faza e parë e Luftës Balkanike. Periudha e dytë ishte ajo e luftës për pushtimin e territoreve shqiptare në pjesën perëndimore të vilajetit të Kosovës, në vilajetet e Manastirit, të Shkodrës e të Janinës.
Sikurse shkruajnë gjeneralët turq, pjesëmarrës në këto beteja, shqiptarët luftuan me trimëri të madhe për të mbrojtur atdheun e vet, tokën amtare. Ata nuk e braktisën asnjëherë frontin dhe shpesh luftuan edhe pasi ushtria turke kishte braktisur vijën e luftës. Në Betejën e Kumanovës u vra gjithë efektivi i batalionit të ushtarëve të Gjilanit. Ndërsa numri i përgjithshëm i shqiptarëve, që u vranë në këtë betejë, arrin në 10 000 veta.
Pas pushtimit të Shkupit, ushtria serbe vazhdoi mësymjen drejt pjesës perëndimore të vilajetit të Kosovës (drejt Prizrenit, Pejës, Gjakovës etj.), drejt vilajeteve të Manastirit (pushtuan Manastirin), të Shkodrës e të Janinës. Ata kaluan nëpër luginën e Drinit, pushtuan Lumën, Mirditën e Matin, dolën në Lezhë dhe u dyndën në Shqipërinë e Mesme. Një pjesë e tyre iu drejtua Durrësit, kurse kolona të tjera u nisën drejt veriut dhe, së bashku me forcat malazeze që kishin marrë Shëngjinin, plotësuan rrethimin e Shkodrës.
Shqiptarët, të braktisur nga ushtritë osmane, edhe pse luftuan kudo me trimëri, nuk qenë në gjendje të ndalnin sulmin e kombinuar të aleatëve ballkanikë, të përgatitur ushtarakisht prej dhjetëra vjetësh dhe të armatosur deri në dhëmbë. Në fillim të dhjetorit të vitit 1912 ushtritë serbo-malazeze kishin pushtuar pjesën më të madhe të Shqipërisë dhe arritën në jug deri në luginën e Shkumbinit, në vijën Durrës-Kavajë-Peqin-Elbasan-Pogradec-Strugë.
Ndërkohë edhe ushtria greke, pasi theu forcat turke në Thesali e në Epir, mori Selanikun, rrethoi Janinën, shtiu në dorë Sazanin dhe zbarkoi në Himarë, të cilën e pushtoi bashkë me disa fshatra përreth.
Menjëherë pas sukseseve të para qeveritarët e Serbisë, të Malit të Zi dhe të Greqisë, si edhe shtypi i tyre, filluan t’i deklaronin gjithnjë më hapur qëllimet e veta ndaj Shqipërisë, duke i justifikuar ato me argumentet absurde të paaftësisë së “fiseve të egra” e “barbare” shqiptare për të formuar shtetin e vet.
Këto deklarata u shoqëruan me një veprimtari gjakatare, terroriste, shfarosëse të ushtrive malazeze e serbe dhe më vonë greke kundër popullsisë shqiptare, që nuk mëshiruan as gratë, as fëmijët e as pleqtë. Pushtimi i Kosovës e i viseve të tjera të Shqipërisë u shoqërua me vrasje në masë të luftëtarëve kosovarë dhe me masakrimin e me shpërnguljen e popullsisë. Qëllimi i Beogradit ishte që “Serbia të bëhej shtet i pastër, thjesht serb, nacional”. Proklamatave të mbretit të Serbisë, për barazinë e shqiptarëve me serbët në shtetin e Serbisë, ua zunë vendin pas fillimit të luftës urdhrat për shfarosjen e shqiptarëve. Gjeneralët serbë pranonin haptazi atëherë se “ne i linim të qetë turqit, por vramë sa mundëm ç'qenë shqiptarë”. Deviza e ushtrisë serbe ishte: “Të shfarosim shqiptarët!”.
Kudo që shkelën, në fshatrat e qytetet e Kosovës dhe të të gjithë Shqipërisë, serbët mbollën vdekje e shkatërrime. Vetëm në dy muajt e parë të luftës, në tetor-nëntor 1912, u vranë 25 000 shqiptarë. Vrasja e shqiptarëve ishte programuar zyrtarisht nga Beogradi, që kishte urdhëruar “të mos lihej asnjë gjurmë shqiptare në ato vise”. Qytete të tëra, si Prishtina, Vuçiterna, Ferizaj, Gjilani, Kumanova, Presheva, Prizreni, Peja etj., iu nënshtruan shkatërrimeve. Fshatrat përreth këtyre qyteteve u bënë shkrumb e hi, ndërsa banorët e tyre, pa kursyer as gratë, pleqtë e fëmijët, u vranë ose u dogjën të gjallë, në zjarrin e shtëpive të tyre. Ushtria malazeze plaçkiti Gjakovën dhe dogji pazarin e saj. Sikurse pohonte sekretari i N. Pashiçit, në rrugën midis Prizrenit dhe Pejës kishte vetëm fshatra të djegura, ndërsa banorët e tyre ishin masakruar. Në Pejë vriteshin çdo ditë 25 shqiptarë. Pasi shtypën qëndresën e 2 000 lumjanëve, serbët, në tetor 1912, masakruan popullsinë e Lumës, 700 veta, duke përfshirë pleqtë, gratë, fëmijët e madje edhe ata të sapo lindur që u therrën ose u dogjën të gjallë në shtëpitë e tyre, dogjën e rrafshuan me tokën thuajse të gjitha fshatrat e Lumës. Fshati Nishor, në veriperëndim të Prizrenit u rënua nga goditjet e artilerisë, ndërsa popullsia u masakrua, u vranë gjithë burrat. Bashkëkohësit shkruanin se në fshatra të tëra të Kosovës nuk mbeti i gjallë asnjë njeri.
Në territorin midis Kumanovës e Shkupit, sipas njoftimeve të shtypit të kohës, u vranë 3 000 veta, nga të cilët 2 000 në rrethin e Shkupit. Terrorit të paparë iu nënshtrua edhe popullsia e qytetit të Shkupit. Çdo ditë oficerët serbë organizonin ekspedita në fshatrat rreth Shkupit për të terrorizuar dhe për të masakruar fshatarët. Mijëra njërëz të pambrojtur vinin nga Kumanova e nga Presheva, duke shpresuar të gjenin shpëtim në Shkup. Por edhe këtu i priste vdekja nga ushtarët serbë ose nga uria. Masakra të mëdha u bënë në Malin e Zi të Shkupit, ku u dogjën 29 fshatra shqiptare. Pas pushtimit të Ferizajt, u vranë këtu 1 200 veta.
Gjatë kësaj fushate persekutimesh ndaj shqiptarëve u arrestuan në rrethet e Shkupit, në muajin nëntor, Hasan Prishtina, Nexhip Draga, Idriz Seferi, Sait Hoxha, Kosum Seferi dhe mjaft udhëheqës të tjerë të lëvizjes shqiptare, të cilët, meqë nuk pranuan të nënshkruanin deklaratat e besnikërisë ndaj Serbisë, u hodhën në burgjet e Beogradit, ku u mbajtën deri më 16 maj 1913.
Pushtimi i Kosovës u shoqërua me shpërngulje në masë të popullsisë shqiptare nga trojet e tyre amtare. Vetëm në periudhën e Luftës së Parë Ballkanike u shpërngulën nga vise të ndryshme të vilajetit të Kosovës rreth 150 000 shqiptarë.

Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë

Fitoret e rrufeshme të shteteve ballkanike i detyruan Fuqitë e Mëdha të rishikonin vendimin e tyre për të mos lejuar ndryshimin e status quo-së në Ballkan. Qysh në fund të tetorit në rrethet diplomatike dhe në shtypin evropian filloi të flitej për nevojën e ndryshimeve territoriale në të mirë të aleatëve ballkanikë. Në këto kushte, patriotët shqiptarë që ndodheshin jashtë atdheut vendosën të ndërmerrnin një veprim të ri politik krahas atij të “Shoqërisë së zezë për shpëtim” e të rretheve të tjera atdhetare brenda vendit. Qëllimi i këtij veprimi do të ishte të shpëtohej Shqipëria nga copëtimi, të ruhej tërësia e saj tokësore e të mblidhej një kuvend kombëtar që do të vendoste për fatin e saj. Nismën për këtë veprim të ri e morën Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi, të cilët mendonin se do të kishin përkrahjen e Lidhjes Tripalëshe. Ata u nisën nga Stambolli dhe arritën në Bukuresht, ku më 5 nëntor 1912 organizuan mbledhjen e kolonisë shqiptare të atjeshme. Aty u vendos të themelohej “një komitet drejtonjës” që të merrte në dorë qeverinë e vendit; të krijohej një komision që do të shkonte në Evropë për të mbrojtur përpara qeverive të Fuqive të Mëdha “të drejtat kombëtare e lokale të popullit shqiptar” dhe një komitet në Bukuresht, që do të bashkërendonte veprimtarinë e komiteteve të tjera brenda e jashtë Shqipërisë për t’i ardhur atdheut në ndihmë. Mbledhja e Bukureshtit në vendimin e saj nuk përcaktoi qartë nëse do të kërkohej autonomi a pavarësi. Kjo do të përcaktohej, siç duket, nga zhvillimi i mëtejshëm i ngjarjeve dhe nga qëndrimi që do të mbanin kundrejt çështjes shqiptare Fuqitë e Mëdha. Për këtë qëllim Ismail Qemali me shokë shkoi në Vjenë, ku bisedoi me ambasadorin anglez, Berhtoldin, dhe me ambasadorin italian. Gjatë rrugës ose ndoshta në kryeqytetin austriak Ismail Qemali u njoftua për lëvizjen që kishte filluar në Shqipëri për mbledhjen e një kuvendi kombëtar. Ai i deklaroi më 10 nëntor ambasadorit anglez se do të nisej së shpejti për në Vlorë për të marrë pjesë në një mbledhje të krerëve shqiptarë, se shqiptarët ishin të vendosur të ruanin vendin e tyre, se ata do të luftonin deri në pikën e fundit të gjakut për të mos lejuar një copëtim të tij dhe se krijimi i një Shqipërie më vete do të mënjanonte një ndërhyrje të Austrisë dhe të Italisë.
Ideja për mbledhjen e një kuvendi në Shqipëri, që do t’u paraqiste Fuqive të Mëdha kërkesat e popullit shqiptar, kishte gjetur përkrahjen e qeverisë austro-hungareze. Berhtoldi e njoftoi Ismail Qemalin se Vjena ishte për një Shqipëri autonome. I tillë ishte edhe opinioni që mbizotëronte në rrethet diplomatike të Fuqive të tjera të Mëdha. Por autonomia në kuadrin e Perandorisë Osmane tashmë nuk kishte asnjë kuptim. Ushtria osmane në Ballkan ishte shpartalluar në të gjitha frontet. Trupat serbe, malazeze e greke kishin hyrë thellë në tokën shqiptare.
Në këto kushte e vetmja zgjidhje e drejtë e çështjes shqiptare ishte ajo e shpalljes së pavarësisë. Në këtë përfundim arriti grupi i atdhetarëve i kryesuar nga Ismail Qemali, i cili më 19 nëntor deklaronte në Trieste, ku kishte arritur bashkë me shokët, se: “... menjëherë pas mbërritjes së tij në Shqipëri do të shpallej pavarësia e Shqipërisë dhe do të zgjidhej qeveria e përkohshme”. Nga Triestja komisionit që ishte formuar në Vlorë për përgatitjen e mbledhjes së kuvendit kombëtar iu dërgua një telegram, me anë të të cilit kërkohej që të merreshin masa për thirrjen e delegatëve.

Ideja e pavarësisë së Shqipërisë dhe lajmi i mbledhjes së kuvendit kombëtar u pritën me entuziazëm të madh në Shqipëri, ku gjetën një truall të përgatitur qysh më parë nga rrethet atdhetare të vendit. Këto rrethe kishin vendosur lidhje ndërmjet tyre dhe kishin caktuar Vlorën si qendër ku do të bëhej mbledhja e përfaqësuesve të kombit shqiptar.
Grupi i kryesuar nga Ismail Qemali arriti në Durrës më 21 nëntor. Së bashku me atdhetarët durrsakë ai vendosi të ngrinte në qytet flamurin kombëtar. Por autoritetet osmane, të ndihmuara nga armiku i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhespot Jakovi, arritën, ndonëse përkohësisht, ta pengonin këtë veprim. Komanda turke e Janinës u orvat nga ana e saj ta kapte Ismail Qemalin gjallë ose vdekur, por shumë shpejt u detyrua të hiqte dorë nga ky vendim. Administrata turke në krahinat e Shqipërisë, të papushtuara ende nga ushtritë ballkanike, në përgjithësi nuk ishte në gjendje ta pengonte lëvizjen shqiptare. Ajo i trembej shumë një konflikti të armatosur me shqiptarët, në një kohë kur po ndiqej këmba-këmbës nga aleatët ballkanikë dhe kur e vetmja rrugë tërheqjeje në perëndim ishte Shqipëria.
Të shoqëruar nga delegatët e Durrësit, të Shijakut, të Tiranës e të Krujës, Ismail Qemali me shokët e tij u nisën për në Kavajë. Prej andej nëpër Karatoprak kaluan në Fier, ku u takuan me delegatët e Kosovës, dhe më 25 nëntor arritën në Vlorë. Këtu delegatët e popullit shqiptar u pritën me festë. “Një zjarr i shenjtë patriotizmi, - shkruan Ismail Qemali në kujtimet e tij, - kishte pushtuar qytetin ku kisha lindur dhe populli më përshëndeste kudo me entuziazëm dhe gëzim”.
Puna e parë e udhëheqësit patriot qysh më 26 nëntor ishte organizimi i forcave të armatosura. Për këtë qëllim ai ngriti një komision organizues dhe u dërgoi pleqësive të katundeve një qarkore, me anën e së cilës porositeshin të mobilizonin njerëzit e aftë për armë dhe t’i mbanin ata në gatishmëri.
Ndërkohë, ushtria serbe po përparonte me shpejtësi në tokat shqiptare. Ajo po i afrohej Durrësit, Tiranës, Krujës dhe Elbasanit. Rrethet atdhetare të këtyre qyteteve vendosën ta shpallnin sa më parë pavarësinë për t’i vënë autoritetet ushtarake serbe përpara faktit të kryer. Më 25 nëntor Elbasani shpalli i pari pavarësinë. Të nesërmen atë e shpallën Durrësi e Tirana dhe më 27 nëntor Kavaja, Peqini e Lushnja.
Për shkak të përparimit të pandalur të ushtrive serbe, gjendja në Shqipëri po bëhej gjithnjë më kritike. Kjo ishte arsyeja që në mbrëmjen e 27 nëntorit delegatët që ndodheshin në Vlorë, ndonëse nuk kishin arritur ende përfaqësuesit e disa krahinave, vendosën të mblidhnin të nesërmen kuvendin kombëtar.
Më 28 Nëntor 1912, në orën 14, u hap në Vlorë Kuvendi Kombëtar. Në mbledhjen e parë të Kuvendit morën pjesë 37 delegatë, të cilët u shtuan gjatë ditëve që pasuan duke arritur në 63 veta, që përfaqësonin të gjitha viset shqiptare. Pjesa më e madhe e tyre ishin udhëheqës e veprimtarë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Përveç Ismail Qemalit merrnin pjesë Luigj Gurakuqi, Isa Boletini, Sali Gjuka, Bedri Pejani, Rexhep Mitrovica, Vehbi Agolli, Nikollë Kaçorri, Jani Minga, Abdi Toptani, Pandeli Cale, Dudë Karbunara, Lef Nosi, Mithat Frashëri, Mehmet Dëralla, Hasan Hysen Budakova, Ajdin Draga, Sherif efendi Dibra, Dhimitër Mborja, Dhimitër Zografi, Shefqet Daiu, Rexhep Ademi, Dhimitër Berati, Kristo Meksi, Xhelal Koprëncka, Spiro Ilo, Iljaz Vrioni, Hajredin Cakrani, Shefqet Vërlaci etj. Isa Boletini mbërriti me 400 luftëtarë kosovarë më 29 nëntor, i pritur me gëzim të madh nga popullsia dhe nga delegatët e Kuvendit. Nga udhëheqësit e tjerë kosovarë, për shkak të rrethanave të luftës, nuk mundën të merrnin pjesë Hasan Prishtina, Nexhip Draga, Idriz Seferi, Sait Hoxha etj., që ndodheshin në burgun e Beogradit, si edhe Bajram Curri, i cili, ndonëse u nis për në Kuvend, u pengua nga luftimet gjatë rrugës.
Pjesëmarrja në Kuvend e delegatëve nga të gjitha qytetet e Shqipërisë, duke përfshirë edhe ato që ndodheshin të pushtuara nga ushtritë serbe, malazeze e greke, i dha atij karakterin e një asambleje kombëtare mbarëshqiptare. Kjo ishte njëherazi shprehje e vendosmërisë së të gjithë shqiptarëve për t’u bashkuar në shtetin e vet kombëtar, në të cilin do të përfshiheshin të gjitha viset shqiptare.
Kuvendi zgjodhi si kryetar Ismail Qemalin, i cili foli për të kaluarën e Shqipërisë nën sundimin osman dhe për luftërat e shqiptarëve për të fituar të drejtat e tyre. Ai vuri në dukje se në rrethanat e krijuara nga Lufta Ballkanike “e vetmja udhë shpëtimi ishte ndarja e Shqipërisë nga Turqia”.
Propozimi i kryetarit u miratua njëzëri nga delegatët, të cilët nënshkruan dokumentin historik për Pavarësinë e Shqipërisë, ku thuhej: “... Shqipëria me sot të bëhet më vehte, e lirë e mosvarme”.
Pastaj u ngrit madhërisht flamuri kombëtar i Shqipërisë përpara mijëra njerëzve që ishin mbledhur jashtë selisë së Kuvendit e që e pritën këtë ngjarje historike me brohoritje entuziaste, ndërsa populli përshkonte duke kënduar rrugët e qytetit, oratorët atdhetarë, si Jani Minga, Murat Toptani etj., me fjalimet e zjarrta evokonin luftërat e popullit shqiptar për liri.
Nga Kuvendi i Vlorës doli gjithashtu qeveria e përkohshme e kryesuar nga Ismail Qemali.

Rëndësia historike e Shpalljes së Pavarësisë

Shpallja e Pavarësisë ishte një akt me rëndësi jetike për popullin shqiptar. Ajo, nga njëra anë, mbylli një epokë të tërë luftërash e përpjekjesh shekullore për të hequr qafe zgjedhën e huaj, për të ruajtur tërësinë territoriale të atdheut e për të formuar shtetin e lirë kombëtar shqiptar duke kurorëzuar veprën e Rilindjes dhe, nga ana tjetër, hapi një epokë të re, një epokë luftërash e përpjekjesh të tjera për ta mbrojtur pavarësinë e fituar nga rreziqet e jashtme e të brendshme, për të siguruar bashkimin kombëtar të gjymtuar rëndë dhe për të vendosur rendin demokratik.
Ngritja e flamurit kombëtar në Vlorë përfaqësonte fitoren e përbashkët të të gjitha trevave shqiptare prej Rrafshit të Dukagjinit në veri e deri në Çamëri në jug, prej brigjeve të Adriatikut e të Jonit në perëndim e deri në fushat e Kosovës, të Tetovës, në pellgun e Shkupit, në luginën e Preshevës e të Kumanovës, në lindje. Këto treva, duke marrë pjesë gjallërisht me pushkë e me penë në lëvizjen për çlirimin kombëtar, vunë gurë në themelet e pavarësisë shqiptare, i çimentuan ato me gjakun e bijve më të mirë dhe i hapën rrugën formimit të shtetit shqiptar.
Kuvendi i Vlorës e shpalli pavarësinë në emër të të gjithë shqiptarëve, të të gjitha trevave shqiptare, që dërguan përfaqësuesit e tyre në të. Ai e trajtoi Shqipërinë një e të pandarë. Edhe qeveria shqiptare e Ismail Qemalit doli në rrafshin ndërkombëtar si përfaqësuese e gjithë popullsisë shqiptare dhe e të gjitha tokave shqiptare, edhe pse një pjesë e madhe e tyre ishte e pushtuar nga ushtritë e shteteve ballkanike. Edhe deklaratat e notat e protestës, që kjo qeveri u dërgoi shteteve ballkanike e komandave të tyre ushtarake, në të cilat kërkoi largimin e menjëhershëm të forcave të huaja ushtarake nga trojet e pushtuara shqiptare dhe kthimin e tyre Shqipërisë, u bënë në emër të Asamblesë Kombëtare që përfaqësonte të gjitha trojet e banuara nga shqiptarët.
Me Aktin e 28 Nëntorit 1912 sanksionohej e drejta e pamohueshme historike e kombit shqiptar për të qenë i bashkuar, i lirë e i pavarur në trojet e veta, krahas popujve të tjerë të Gadishullit Ballkanik. Kjo ishte një e drejtë që buronte nga qenia e tij si popull me gjuhën, me kulturën, me individualitetin e me historinë e vet, e drejtë e fituar me mundime e sakrifica të panumërta në llogoret e luftës, e drejtë që i takonte për ndihmesën e vyer në dëbimin nga Ballkani të sunduesve të huaj osmanë.
Kuvendi i Vlorës hodhi themelet e shtetit të ri sovran shqiptar.
Për ta siguruar një fitore të tillë popullit shqiptar iu desh të bënte një luftë të gjatë kundër sundimtarëve osmanë dhe synimeve grabitqare të fuqive të huaja. Një varg rrethanash të brendshme e të jashtme kanë bërë që këto lëvizje të mos arrinin dot objektivin. Por në çdo etapë ato kanë vënë në provë forcat materiale e morale të popullit shqiptar, kanë pasuruar përvojën e traditat e tij luftarake dhe kanë krijuar premisat për zhvillimin e mëtejshëm të luftës. Në shek. XIX e në fillim të shek. XX kjo luftë u zhvillua mbi baza të reja shoqërore e politike dhe mori karakter të ndërgjegjshëm kombëtar.
Shpallja e autonomisë nga Lidhja e Prizrenit dhe ajo e Pavarësisë nga Kuvendi i Vlorës më 1912 janë dy hallkat themelore në zinxhirin e ngjarjeve të lëvizjes kombëtare, të lidhura organikisht ndërmjet tyre si shprehje e vullnetit popullor dhe si pasojë e drejtpërdrejtë e përfundim logjik i luftës çlirimtare. Por, Shpallja e Pavarësisë shqiptare ishte në të njëjtën kohë një etapë më e lartë, e përcaktuar nga zhvillimi progresiv i lëvizjes dhe nga rrethanat ndërkombëtare.
Në Gadishullin Ballkanik Shqipëria, sikurse Maqedonia, ishte vendi që u çlirua i fundit nga sundimi i sulltanëve osmanë, në një kohë kur popujt e tjerë fqinjë kishin, kush më shumë e kush më pak, dhjetëra vjet që bënin jetë shtetërore të pavarur. Kjo vonesë u shkaktua nga faktorë ekonomikë, shoqërorë e politikë, të brendshëm e të jashtëm, që vepruan ndërsjelltas mbi Lëvizjen Kombëtare Shqiptare dhe përcaktuan ritmet e zhvillimit të saj.
Prapambetja ekonomike e shoqërore e vendit ishte padyshim një faktor që vonoi rritjen e forcave organizuese e drejtuese të lëvizjes kombëtare e si pasojë e vështirësoi dhe e vonoi Shpalljen e Pavarësisë. Megjithatë, edhe pse Shqipëria ishte një vend i vogël e mbi të rëndonte zgjedha e një perandorie të madhe, një faktor themelor që e vonoi për dhjetëra vjet pavarësinë shqiptare ishte ai i jashtëm. Populli shqiptar ka qenë gjatë gjithë lëvizjes për çlirimin kombëtar i vetëm, pa ndihmën e jashtme e pa aleatë. Për më tepër, shtetet ballkanike fqinje, të cilat të parat patën siguruar pavarësinë, luftuan me të gjitha mjetet, duke filluar nga presionet diplomatike e duke mbaruar edhe me ndërhyrje të armatosura, kundër Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, e cila për nga qëllimet e saj ishte në kundërshtim me planet e tyre të skllavërimit ekonomik e politik dhe të copëtimit të Shqipërisë. Edhe Fuqitë e Mëdha, të cilat, gjatë gjithë shek. XIX patën përkrahur popujt e krishterë të Ballkanit (serbët, grekët, rumunët e bullgarët) të formonin shtetet e tyre të pavarura, për një kohë të gjatë, mbajtën një qëndrim mospërfillës ndaj çështjes shqiptare.
Në këtë qëndrim pati ndikimin e vet edhe fakti që shqiptarët, të ndarë në tri fe (edhe pse i bashkonte një ndërgjegje e vetme kombëtare), me një shumicë zotëruese myslimane, shiheshin nga Evropa e sidomos nga Rusia e krishtere si një popull i huaj me to dhe më i afërt me turqit myslimanë. Jo vetëm Rusia, por edhe shtetet e tjera evropiane nuk qenë shkëputur ende në atë periudhë nga konceptet e vjetra teokratike për kombin, edhe pse perandorive shumëkombëshe teokratike po u vinte fundi.
Në këto kushte, lufta për pavarësinë e Shqipërisë nuk mund të mbështetej veçse në forcat e popullit shqiptar dhe mund t’ia arrinte qëllimit vetëm kur të krijohej një koniunkturë e favorshme ndërkombëtare, kur kontradiktat ndërmjet Fuqive të Mëdha mund të shfrytëzoheshin me sukses për realizimin e saj.
Pavarësia e Shqipërisë u shpall në kushte të tilla ndërkombëtare. Udhëheqësit e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, në fazën e fundit të saj, ditën të shfrytëzonin me mjeshtëri koniunkturën politike që u krijua me shpërthimin e Luftës së Parë Ballkanike, kur në çështjen shqiptare u ndeshën me forcë interesat e kundërt të Fuqive të Mëdha. Është meritë e këtyre atdhetarëve largpamës dhe, në mënyrë të veçantë, e atdhetarit dhe e diplomatit të shquar Ismail Qemali, që, duke u mbështetur në luftën e popullit shqiptar brenda vendit, zgjodhën drejt çastin e përshtatshëm për të kaluar nga platforma e deriatëhershme politike e lëvizjes për autonominë në atë të pavarësisë. Dhe kjo u realizua pikërisht më 28 Nëntor 1912, kur Turqia po dëbohej nga Ballkani, kur Fuqitë e Mëdha vendosën të hiqnin dorë nga ruajtja e status quo-së në Ballkan dhe kur planet e aleatëve ballkanikë për ta zhdukur Shqipërinë, të përkrahura edhe nga fuqitë e Antantës, u kundërshtuan nga fuqitë e Lidhjes Tripalëshe.
Vendimi historik i 28 Nëntorit drejtohej megjithatë jo vetëm kundër politikës së Fuqive të Antantës dhe të shteteve fqinje të Ballkanit, por edhe kundër planeve të fuqive të Lidhjes Tripalëshe. Këto të fundit, sidomos Austro-Hungaria e Italia, si më të interesuarat për çështjen shqiptare, ishin në atë kohë për autonominë e Shqipërisë, nën sovranitetin e sulltanit. “Pavarësinë” e saj ato e shihnin si një variant të mundshëm të zgjidhjes së çështjes shqiptare dhe e kuptonin nën prizmin e interesave të vet, si mjetin që do t’u hapte rrugën për të vendosur kontrollin ekonomik e politik mbi Shqipërinë, për ta përdorur popullin shqiptar si gardh kundër shtrirjes së shteteve sllave drejt perëndimit të Shqipërisë, si mbështetje për shtrirjen e tyre në Ballkan.
Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë edhe pse, siç do të provohej me vendimet e padrejta të Konferencës së Ambasadorëve të Gjashtë Fuqive të Mëdha të Londrës (1913), nuk arriti të bashkonte në një shtet të vetëm gjithë territoret e popullsinë shqiptare, duke krijuar pas pesë shekujsh robërie Shtetin e Pavarur Shqiptar përbën ngjarjen më të madhe, unikale, në historinë e kombit shqiptar gjatë shek. XX.

Kthesa historike e 28 Nëntorit 1912 ishte premisa politike themelore për organizimin mbi baza më të përparuara të jetës shtetërore të pavarur të shqiptarëve dhe për zhvillimin më të shpejtë ekonomik, shoqëror e kulturor të vendit. Duke formuar Shtetin e Pavarur Shqiptar ajo objektivisht krijoi gjithashtu premisat dhe atë bazë shtetërore e politike, aq të nevojshme për ta mbajtur të gjallë çështjen e çlirimit dhe të bashkimit të të gjitha trevave shqiptare dhe për zgjidhjen përfundimtare të problemit shqiptar në Ballkan.

vendredi 14 novembre 2014

KONGRESI I MANASTIRIT PËR NJËSIMIN E ALFABETIT TË GJUHËS SHQIPE (14-22 NËNTOR 1908)


AKADEMIA E SHKENCAVE E SHQIPËRISË, INSTITUTI I HISTORISË
Historia e Popullit Shqiptar II



Përhapja e shkollave dhe e mësimit të gjuhës shqipe, si edhe zhvillimi i kulturës kombëtare në përgjithësi, shtruan në rend të ditës nevojën e caktimit të një alfabeti të vetëm. Rilindësit me të drejtë e shihnin mungesën e një alfabeti të njëjtë të gjuhës shqipe jo vetëm si një problem gjuhësor e kulturor, por edhe si një çështje politike, një shenjë dasie, që pengonte bashkimin e shqiptarëve. Zgjidhja e saj do të ndihmonte si në lëvrimin e mëtejshëm të gjuhës e të letërsisë shqipe, ashtu edhe në konsolidimin e unitetit kombëtar dhe të bashkimit politik të popullit shqiptar.

Vendosja e një alfabeti të njëjtë të gjuhës shqipe u përgatit gjatë një epoke të tërë të Rilindjes, falë veprimtarisë krijuese në lëmin e gjuhësisë dhe të letërsisë të brezave të tërë të iluministëve shqiptarë, gjuhëtarë, shkrimtarë, poetë, publicistë etj. Një ndihmesë të vyer dhanë organet e shtypit, sidomos ato të viteve të fundit të shek. XIX dhe të fillimit të shek. XX, ku spikati në mënyrë të veçantë revista “Albania” (Bruksel-Londër, 1897-1909) e Faik Konicës. Miratimi i alfabetit (alfabetares) së Stambollit, në vitin 1879, ndonëse shënoi një hap të rëndësishëm përpara në rrugën e vendosjes së një alfabeti të njëjtë të gjuhës shqipe, nuk arriti ta zgjidhte përfundimisht këtë çështje. Alfabeti i Stambollit u përhap vetëm në Shqipërinë e Jugut e të Mesme, ndërsa në Shqipërinë e Veriut, posaçërisht në Shkodër përdoreshin tri alfabete të tjera për shkrimin e shqipes, ai i shoqërisë “Bashkimi” (1899), i “Agimit” (i jezuitëve) dhe alfabeti i shkrimtarëve të vjetër të Veriut, që përdorej më shumë nga klerikët katolikë. Organet e shtypit shqiptar, ndonëse botoheshin të gjitha me alfabetin latin, kishin ndryshime ndërmjet tyre.

Në rrethana të tilla, vendosja e një alfabeti të njëjtë të gjuhës shqipe do të arrihej jo vetëm në luftë me sunduesit e huaj osmanë, që përpiqeshin ta pengonin atë si një arritje që do të çonte në afirmimin e mëtejshëm të kombit shqiptar, por edhe duke kapërcyer frymën dhe interesat lokalë të shoqërive e të grupeve kulturore shqiptare, që ushqeheshin edhe nga dasitë krahinore të trashëguara nga e kaluara.

Ndonëse në thelb ishte një çështje kulture, njësimi i alfabetit të gjuhës shqipe paraqitej njëherazi një nga problemet më të rëndësishme politike të kohës, zgjidhja e të cilit do të varej nga zhvillimi i lëvizjes kombëtare në përgjithësi. Në të vërtetë, thirrja e kongresit për njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe u bë e mundur vetëm në rrethanat e reja, që u krijuan për lëvizjen kulturore-kombëtare pas shpalljes së kushtetutës në vitin 1908.

Nismën për thirrjen e kongresit për njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe e mori klubi “Bashkimi” i Manastirit, që luante rolin kryesor ndërmjet klubeve shqiptare. Drejtuesit e këtij klubi, menjëherë pas themelimit të tij, e shpallën zgjidhjen e kësaj çështjeje si detyrën më të ngutshme të lëvizjes kombëtare. Gjatë muajve gusht-shtator, pasi kishte marrë edhe pëlqimin e klubeve e të shoqërive të tjera atdhetare, klubi i Manastirit ndërmori masat konkrete për thirrjen e kongresit kombëtar për çështjen e alfabetit. Në “Zëdhënien” që u shpërnda me këtë rast, ftoheshin të merrnin pjesë në kongres “gjithë shqiptarët, brenda dhe jashtë Shqipërisë”, si edhe “çdo filolog” shqiptar. Nisma e tij u prit mirë nga atdhetarët shqiptarë dhe nga klubet e shoqëritë patriotike brenda e jashtë vendit, që u treguan të gatshme të dërgonin përfaqësuesit e tyre në këtë kongres.

Kongresi u hap në Manastir më 14 nëntor 1908 dhe i vijoi punimet deri më 22 nëntor. Në Kongres morën pjesë 32 delegatë me të drejtë vote, që përfaqësonin 26 qytete e shoqëri të ndryshme shqiptare brenda dhe jashtë atdheut, si dhe 18 delegatë të tjerë si pjesëmarrës pa të drejtë vote. Kongresi i Manastirit u shndërrua kështu në një kuvend të vërtetë mbarëshqiptar, në të cilin morën pjesë gjithsej 50 delegatë nga të gjitha anët e Shqipërisë, nga qytetet e vilajeteve të Manastirit, të Kosovës, të Janinës e të Shkodrës, si edhe nga shoqëritë shqiptare të Bukureshtit, të Sofjes, të ShBA-së, të Egjiptit, të Italisë etj.

Kongresi i Manastirit për çështjet që diskutoi e zgjidhi dhe si një nga tubimet më të gjera e më përfaqësuese nga përbërja e tij, vlerësohet me të drejtë si kuvendi më i rëndësishëm kombëtar në historinë politike e kulturore të shqiptarëve në fillim të shek. XX. Delegatë të tij ishin shkrimtarët dhe publicistët më të njohur, lëvrues të gjuhës shqipe, laikë e klerikë, si Gjergj Fishta, Nikollë Kaçori, Ndre Mjeda, Gjergj Qiriazi, Mithat Frashëri, Hilë Mosi, Mati Logoreci, Thoma Avrami, Sotir Peci, Shahin Kolonja, Luigj Gurakuqi, Adam Shkaba; veprimtarë të lëvizjes kombëtare dhe të klubeve shqiptare, si Bajram e Çerçis Topulli, Mihal Gramenoja, Fehim Zavalani, Dhimitër Mole, Nyzhet Vrioni, Rrok Berisha, Leonidha Naço, Dhimitraq Buda, Akil Eftimi, Shefqet Frashëri, Refik Toptani, Gligor Cilka, Emin bej Shkupi, Hafiz Ibrahim efendiu (nga Shkupi), Ramiz Daci, Xhemal Beu (nga Ohri), Fahri Frashëri (nga Resna) etj. Kryetar i Kongresit u zgjodh Mithat Frashëri, ndërsa nënkryetarë Luigj Gurakuqi e Gjergj Qiriazi. Megjithatë, për një varg arsyesh të diktuara nga rrethanat e kohës, pati edhe intelektualë të shquar (si Faik Konica etj.) që nuk arritën të merrnin pjesë në punimet e këtij Kongresi.

Gjatë dy ditëve të para të Kongresit u zhvilluan mbledhje të gjera e të hapura, ku morën pjesë, përveç delegatëve, edhe intelektualë e nxënës të shkollave të Manastirit, si edhe banorë të tjerë të këtij qyteti, rreth 400 veta. Këto mbledhje u shndërruan në manifestime kombëtare, në të cilat u mbajtën fjalime patriotike për nevojën e bashkimit të të gjithë shqiptarëve, gegë e toskë, myslimanë e të krishterë, si dhe për përparimin e kombit e të kulturës së tij.
Vendin kryesor në punimet e Kongresit, duke përfshirë edhe mbledhjet e hapura, e zuri çështja e caktimit të një alfabeti të përbashkët për të gjithë shqiptarët. Gjatë diskutimeve që u bënë në ditët e para, të gjithë shfaqën mendimin se alfabeti që do të vendosej duhej të kishte si bazë atë latin. Por pikëpamjet e delegatëve më tej u ndanë, prandaj në ditën e tretë të punimeve Kongresi zgjodhi një komision prej 11 vetash, të kryesuar nga at Gjergj Fishta, ku bënin pjesë njohësit më të mirë të gjuhës shqipe, përkrahës të alfabeteve të Stambollit, të “Bashkimit”, të “Agimit”, si dhe intelektualë të tjerë të shquar. Komisionit iu dhanë fuqi të plota për të vendosur për këtë çështje.

Pas shumë diskutimesh Komisioni vendosi që të mos merrej në vështrim asnjëri nga tri alfabetet e përmendura më sipër, por të krijohej një alfabet i ri mbi bazën e atij latin, duke u dhënë shkronjave latine vlera fonetike në përputhje me nevojat e gjuhës shqipe. Por Komisioni ndeshi në vështirësi për caktimin e shkronjave dyshe, që nevojiteshin për ata tinguj të shqipes, që i mungonin latinishtes (për dh, gj, nj, th etj.). Në këto rrethana, pas tri ditë diskutimesh (17-19 nëntor), anëtarët e Komisionit, sikurse thuhej në vendimin e Kongresit, “të shtyrë edhe nga disa shkaqe të përjashtme”, nuk arritën të caktonin një alfabet të vetëm për gjuhën shqipe, prandaj vendosën “të kthehen prapa”, duke pranuar alfabetin e Stambollit “e me të bashkë edhe një abece thjesht latine, që të përdoreshin e të mësoheshin bashkarisht në mes të shqiptarëve”. Të dy alfabetet do të përdoreshin detyrimisht në shkolla.

Pjesëmarrësit e Kongresit të Manastirit:

Rreshti i parë (nga lart, nga e majta: Sami Pojani (delegat i Korçës), Zenel Glina(i Leskovikut), Leonidha Naçi (i Vlorës), Simon Shuteriqi (i Elbasanit), Dhimitër Bruda (i Elbasanit), Azis Starova (i Starovës), Adham Shkaba (i Sofjes), Mati Logoreci (i Shoqërisë “Agimi”).

Rreshti i dytë: Rrok Berisha Gjakova (i Shkupit), Bajo Topulli (i Gjirokastrës), Grigor Gilka (i Korçës), Sotir Peci (i Amerikës dhe i Bukureshtit), Shefqet Frashëri (i Korçës), Luigj Gurakuqi (i Shkodrës), Shahin Kolonja (i Kolonjës), Ahil Eftim Korça (i Konstancës), Hil Mosi (i Shkodrës).

Rreshti i tretë: Nyzhet Vrioni (i Beratit), Dhimitër Mole (i Filibesë - Bullgari), Gjergj Qiriazi (i Manastirit), At Gjergj Fishta (i Shoqërisë “Bashkimi”), Midhat Frashëri (i Klubit të Selenikut dhe Janinës), Don Nikollë Kaçori (i Durrësit), Don Ndre Mjeda (i Shoqërisë “Agimi”), Fehim Zavalani (i Manastirit).

Rreshti i katërt: Refik Toptani (i Tiranës), ÇerçizTopulli, Mihal Grameno (i Korçës). Anash janë dy patriotë jo delegatë.
Nga Mihal Gramenoja, në kujtimet e tij, përmenden si pjesëmarrës - por që mungojnë në këtë fotografi: Parashqevi Qiriazi (delegate e Shkollës së Çupave Korçë), Havez Ibrahimi dhe Emin Beu (të Shkupit), Rauf Beu (i Gjirokastrës) dhe Selahedin Beu (i Manastirit).
Ky vendim, që vetë Kongresi e quajti kthim prapa, u argumentua nga Komisioni me “disa shkaqe të përjashtme” dhe pikërisht me nevojën për të shtypur me alfabetin thjesht latin libra jashtë Shqipërisë dhe për korrespondencat me jashtë. Në të vërtetë, me shkaqe të jashtme nuk kuptoheshin vetëm ato thjesht teknike, por edhe trysnia e ushtruar mbi Komisionin nga qarqet e shoqëritë e ndryshme shqiptare, që ishin për alfabetin e Stambollit (në Shqipërinë e Jugut) dhe atë të “Bashkimit” në Gegëri e sidomos në Shkodër. Vendimi për të përdorur bashkërisht dy alfabete u mor për të mos shkaktuar përçarje në radhët e delegatëve dhe të shqiptarëve në përgjithësi. Në të njëjtën kohë ai u quajt si një zgjidhje e përkohshme për të kaluar në të ardhmen në përdorimin e një alfabeti të vetëm.

Ndonëse nuk caktoi një alfabet të vetëm, vendimi i Kongresit të Manastirit ishte një hap i rëndësishëm përpara në rrugën e zgjidhjes përfundimtare të çështjes së alfabetit të shqipes dhe ushtroi një ndikim të fuqishëm në bashkimin politik dhe përparimin e mëtejshëm kulturor të kombit shqiptar. Me këtë vendim iu dha fund kaosit që mbretëronte deri atëherë në çështjen e shkrimit të shqipes. Në vend të alfabeteve të shumta që ishin përhapur në Shqipëri e në kolonitë e mërgimit, tani do të përdoreshin vetëm dy, edhe këta bashkërisht. Përveç kësaj, duke vendosur për dy alfabete, që mbështeteshin në atë latin, Kongresi i Manastirit ripohoi edhe njëherë vendosmërinë e shqiptarëve për të mbrojtur individualitetin e tyre kombëtar, kundër orvatjeve të xhonturqve për t’u imponuar alfabetin arab dhe për t’i identifikuar ata me turqit.

Atë që nuk e çoi dot deri në fund Kongresi i Manastirit, e zgjidhi përfundimisht vetë jeta e popullit shqiptar. Alfabeti thjesht latin, duke qenë i papërzier e më homogjen nga karakteri i shkronjave, më i lehtë e më praktik për shtyp, u përhap gjithnjë e më shumë dhe nga fundi i Luftës së Parë Botërore u bë tashmë alfabeti i përbashkët e i vetëm për gjithë shqiptarët, alfabeti i sotëm i gjuhës shqipe.

Megjithëse çështja e njësimit të alfabetit zuri vendin kryesor në punimet e Kongresit të Manastirit, vetë Kongresi nuk ishte një mbledhje thjesht gjuhësore, por edhe një manifestim politik. Krahas tubimeve të hapura, u organizuan edhe mbledhje të fshehta kushtuar çështjeve politike të ditës. Objekti kryesor i diskutimeve në këto mbledhje ishin marrëdhëniet e shqiptarëve me turqit, lufta për të drejtat kombëtare të popullit shqiptar, për zhvillimin kulturor dhe ekonomik të vendit, si edhe marrëdhëniet me shtetet evropiane. Përfundimet e këtyre diskutimeve dhe vendimet që u morën në këto mbledhje, u përfshinë në programin kombëtar prej 18 pikash që iu dha deputetit të Korçës, Shahin Kolonjës, për ta paraqitur në parlament në emër të shqiptarëve. Ky program ështe një nga dokumentet më të rëndësishme të Kongresit të Manastirit, në të cilin u pasqyruan aspiratat e shqiptarëve për autonominë territoriale-administrative të Shqipërisë.

Vendin kryesor në program e zinin kërkesat politike për “njohjen zyrtare të kombësisë shqiptare dhe të gjuhës shqipe”. Në lidhje të ngushtë me këtë kërkohej emërimi i nëpunësve shqiptarë në të katër vilajetet, zgjedhja e të gjitha organeve lokale, zgjerimi i kompetencave të tyre dhe kryerja e shërbimit ushtarak nga dy deri në dy vjet e gjysmë në Shqipëri, nën drejtimin e oficerëve shqiptarë të dalë nga shkollat ushtarake që do të ngriheshin në vend.

Pjesë përbërëse e kërkesës për njohjen e kombësisë shqiptare dhe e të drejtave të saj, ishte edhe themelimi i shkollës së pavarur shqipe, që do të arrihej duke i kthyer të gjitha shkollat shtetërore turke në Shqipëri, ato fillore, qytetëse e të mesme, në shkolla kombëtare dhe duke vendosur gjuhën amtare shqipe “si gjuhë mësimi në të gjitha këto shkolla shtetërore”, ndërsa turqishtja do të mësohej si lëndë e veçantë, duke filluar nga viti katërt i shkollës fillore. Të lidhura ngushtë me këtë ishin edhe masat që parashikohej të merreshin për kthimin e shkollave në gjuhën greke, që funksiononin për shqiptarët e krishterë, në shkolla kombëtare, me gjuhën shqipe si gjuhë mësimi, duke i hequr ato nga administrimi i klerit dhe duke i shpallur shkolla shtetërore. Këto shkolla do të mbaheshin me të ardhurat nga pasuritë e kishave, të cilat duhej të administroheshin nga shteti dhe me të ardhurat e buxhetit të shtetit osman. Për t’u prerë rrugën ndërhyrjeve të Austrisë, të Italisë e të Greqisë në Shqipëri, kërkohej që klerikët katolikë e ortodoksë të paguheshin nga shteti turk. Me këto masa do të kufizohej ndikimi i propagandave të huaja shkollore e kishtare në Shqipëri, sidomos i asaj greke.

Një nga kërkesat më të rëndësishme në fushën e arsimit ishte ajo për themelimin e një universiteti shqiptar, që kishte qenë aspiratë e hershme e rilindësve. Për përgatitjen e profesorëve për këtë universitet do të dërgoheshin çdo vit, me bursa të shtetit, të rinj që do të mësonin në shkollat e larta të Evropës dhe të ShBA-së. Po kështu kërkohej të themelohej një muze arkeologjik kombëtar në një nga qytetet e Shqipërisë.

Programi përmbante gjithashtu një varg masash, që kishin për qëllim zhvillimin ekonomik të vendit, për të cilin ishte interesuar borgjezia shqiptare. Të tilla ishin masat për hapjen dhe shfrytëzimin e minierave, për ndërtimin e hekurudhave nga sipërmarrës shqiptarë, për ngritjen e ekonomive të mëdha bujqësore në Myzeqe etj. Në pjesën ekonomike përfshihej edhe kërkesa për kufizimin e depërtimit të kapitalit të huaj në ekonominë shqiptare, që kishte për qëllim të ndalonte ekspansionin ekonomik të shteteve të huaja dhe në mënyrë të veçantë t’u jepte mundësi borgjezisë shqiptare e kapitalit vendas të shtinte në dorë tregun dhe ekonominë e Shqipërisë.

Shtëpia ku është mbajtur Kongresi i Manastirit
Programi politik, i miratuar në Kongresin e Manastirit, megjithëse nuk përmbante kërkesa të domosdoshme për organizimin e një shteti autonom, si veçimi i territoreve shqiptare dhe forma e qeverisjes së tyre, ai pati rëndësi të veçantë, sepse i përmbysi shpresat e tyrqve të rinj dhe të bashkëpunëtorëve të tyre shqiptarë për ta kufizuar Kongresin vetëm me çështjet e alfabetit, për ta mbajtur larg problemeve politike e luftës kundër regjimit xhonturk. Miratimi i tij dëshmonte gjithashtu se Lëvizja Kombëtare Shqiptare edhe pas shpalljes së kushtetutës kishte ruajtur karakterin e saj politik e të pavarur dhe kishte si objektiv themelor realizimin e autonomisë së Shqipërisë.

Kongresi i Manastirit shënoi gjithashtu një hap të rëndësishëm në ngritjen e shkallës së organizimit të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Vetë thirrja e tij si një forum mbarëkombëtar, vendimet që mori për çështje të tilla që i takonin gjithë kombit dhe, në mënyrë të veçantë, njohja faktike e klubit të Manastirit si klub qendror, me të cilin do të mbanin lidhje gjithë klubet e tjera, dëshmojnë për vendosjen e një bashkërendimi të veprimtarisë organizative e politike-kulturore të klubeve dhe të shoqërive shqiptare, nën drejtimin e klubit “Bashkimi” të Manastirit. Jo rastësisht konsujt e huaj e trajtonin këtë masë si një përpjekje që do të krijonte njëlloj federate të klubeve shqiptare.

Vendimi për t’i dhënë klubit “Bashkimi” të Manastirit, që qëndronte në krye të luftës për të drejtat kombëtare të shqiptarëve, atributet e një klubi qendror, u arrit pas kundërshtimit të përpjekjeve të krahut të moderuar të lëvizjes kombëtare për t’u imponuar klubeve e shoqërive shqiptare udhëheqjen politike dhe organizative të klubit të Stambollit, drejtuesit e të cilit, përgjithësisht, njiheshin si përkrahës të xhonturqve.


Kongresi i Manastirit dhe vendimet e tij përbëjnë një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e re të popullit shqiptar. Për herë të parë pas kuvendeve, që u mbajtën në periudhën e Lidhjes së Prizrenit (1878-1881) dhe të Lidhjes së Pejës (1899-1900), u mblodhën në këtë Kongres përfaqësues nga të gjitha krahinat e Shqipërisë dhe u morën vendime të rëndësishme për çështjen e alfabetit e për ato politike, që ndihmuan për ngritjen në një shkallë më të lartë të kulturës e të arsimit shqiptar, si edhe për bashkimin e tij të mëtejshëm në luftën për çlirimin kombëtar. 

mercredi 30 juillet 2014

Jemi shqiptar, nuk jemi barbar !


(Për t'ja u përkujtuar të gjithëve se si duhet të sillet një shqiptar i vërtet i përfshirë në luftë. Lufta ka rregullat e saj dhe njerëzia nuk mund të fshihet në emër të saj)
NGA MIHAL GRAMENO 
“Më 6 të qershorit, si u ngrys, muarëm të përpjetën dhe duke shkuar në disa krahina të rrezikshme e të pashkelura arritëm ndaj të gdhirit në në Kastene. Si u çlodhëm pak, vendosëm që 12 shpirt të hynin në fshat dhe 22 të tjerët ta rrethonin që të mos dilte ndonjë përjashta. Me të hyrë zumë priftin, myhtarë e nja dy të tjerë, duke u thënë që të mblidhnin gjithë fshatin e të na tregonin ku ishin andartët. Të shtrënguar na treguan që andartët kishin shkuar së andejmi dhe i kishin forcuar të betoheshin në kishë përmbi ungjill që do të punonin pas urdhëratës së tyre duke vrarë shqiptarët që kishin çifliqe e t’u digjnin konakët. Atëherë vendosëm të digjnim 4-5 shtëpi të priftit, P.Xhutit, të të birit, mësonjësit që ish gjirokastrit dhe një tjetër. U urdhëruan të nxirrnin gjënë e gjallë dhe zumë t’u vëmë zjarr…


Cerçiz Topulli
Flakët ishin përhapur nga të gjitha anët, duke shtënë tmerr në të zotërit dhe ata që shihnin, kur një grua fort e re dhe e tmerruar, me duart kryqëzuar, erdhi tek unë dhe duke qarë, më tha: “Aman Kapiten djalin tim se po digjet!” M’u drodhën mishrat në këtë dëgjim po ç’mund të bëja? “Nuk u porositëm të nxirrnit gjënë e gjallë?! – i thashë.

E mjera grua! Fatzeza nënë. Këpuste leshrat dhe bërtiste si e prishur menç: djalën dhe djalën!…
Atëherë shpirtmiri dhe trimi Abdyl Mersini, i cili kishte edhe ai një djalë të vogël lënë në shtëpi të tij, lëshohet me rrezikun e jetës në mes të flakëve dhe hyn në dhomë, rrëmben djalin dhe ia sjell të dëshpëruarës nënë. Burrëria e Abdylit më mbushi plot gaz dhe e putha në ballë! E gjora nënë rrëmbeu djalin dhe as kujtonte që po i digjej shtëpia”.


Marrë nga “Antikat kombëtare”, Mihal Grameno, fq.87-88